Skuadrat e shpëtimit që po kërkojnë në rrënojat e tre ndërtesave të shembura në Rio de Zhaneiro kanë gjetur gjashtë trupa të pajetë, ndërkohë që 16 persona të tjerë konsiderohen të humbur.
Autoritetet kanë deklaruar se ka pak gjasa që personat e tjerë të gjenden të gjallë nën rrënojat e ndërtesave shumëkatëshe të qytetit brazilian.
Autoritetet po hetojnë nëse ndërtimet ilegale kanë shkaktuar problemet e strukturave, që cuan në rrëzimin e ndërtesave ditën e mërkurë, njëra prej të cilave 20-katëshe.
Ndërtesat ishin ngritur pranë Teatrit Bashkiak dhe zyrave qendrore të gjigantit të naftës “Petrobras”. Disa dhjetëra punonjës të ndërhyrjes së shpejtë mbërritën në vendin e ngjarjes.
Pas saj, shqetësime të shumta janë ngritur lidhur me gjendjen e infrastrukturës në Rio, teksa i gjithë Brazili po bëhet gati të presë Kupën e Botës 2014 dhe Lojrat Olimpike dy vjet më vonë.
Sekretari për sigurinë dhe shërbimet publike në Rio, Carlos Osorio ka deklaruar se bashkia e qytetit ka marrë të gjitha masat për të ndihmuar skuadrat e shpëtimit.
Ndërsa Luiz Cosenza, një inspektor i policisë ndërtimore ka thënë për mediat lokale se dyshon që puna e dobët dhe ilegale është bërë shkak për rrëzimin e të paktën një prej ndërtesave.
Ndërsa korrespondenti i BBC, Hugh Oliver ka deklaruar se nuk duhet të habitemi nga shembja e ndërtesave, pasi pjesa dërrmuese e infrastrukturës së Rios është shumë e dobët.
“Infrastruktura është e dobët. Vetëm zona si Barra de Tihuka janë moderne dhe të mirëndërtuara, ndërsa pas lagjeve kryesore në qendër të Rios mbizotëron kaosi dhe siguria nuk është prioritet i autoriteteve”, ka deklaruar Oliver.
Top Channel