Anti-pirateria, dorëhiqet raportuesi në PE

27/01/2012 21:45

Kader Arif, raportues në Parlamentin Europian për projekt-ligjin kundër piraterisë kompjuterike, i njohur shkurt “Acta”, dha dorëheqjen nga kjo detyrë.

Ai paraqiti dorëheqjen e tij ditën e premte pasi pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian, nënshkruan një marrëveshje tregtie, ku përfshihet një pjesë e mirë e ACTA-s, duke deklaruar se nuk kishte parë kurrë “manovra të tilla, të nxituara për të firmosur aktin pa pyetur shoqërinë civile dhe grupet e interesit”.

“Dënoj të gjithë procesin që coi deri në nënshkrimin e kësaj marrëveshje, pa asnjë konsultim me shoqërinë civile, me mungesë të theksuar transparence që nga nisja e bisedimeve, nënshkrimi i përsëritur i akteve ‘shabllon’, pa dhënë asnjë argument  dhe c’është më kryesorja, refuzimi i rekomandimeve të dhëna nga Parlamenti Europian”, deklaroi Arif.

Megjithatë, pakti i arritur nga këto vende, duhet të kalojë për ratifikim në Parlamentin Europian. Një debat për këtë cështje parashikohet të mbahet në qershor.

Vendimi i zotit Arif për t’u tërhequr vjen pas protestave masive në Poloni, ku mijëra demonstrues mbushën rrugët pasi marrëveshja u firmos. Turma të përbëra kryesisht nga të rinj mbajtën parulla të tipit “jo censurës” dhe “internet të lirë”.

Më herët gjatë javës, një grup hakersash sulmuan faqe të ndryshme interneti të qeverisë polake, përfshirë atë të kryeministrit Donald Tusk. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA