
Një avion i telekomanduar, i realizuar nga shkencëtarët indianë, është
treguar për herë të parë në paradën tradicionale ushtarake që është
mbajtur mëngjesin e së enjtes në Nju Delhi, me rastin e Festës së
Republikës.
Mjeti fluturues, i projektuar nga një qendër kërkimesh e Ministrisë indiane të Mbrojtjes në Bangalore, quhet Rustom-1, Umanned aerial vehicle, ose UAV.
Ai është i ngjashëm me “Predatorin”, droni më i famshëm amerikan që përdoret prej vitesh nga ushtria e Shteteve të Bashkuara kundër ekstremistëve islamikë.
Duket se Amerika ka gjetur një rival, ndonëse marrëdhëniet me Indinë janë të mira, pasi deri më sot asnjë vend tjetër, të paktën publikisht, nuk ka treguar se zotëron avionë të tillë.
Ndërkohë, ka mbetur në harresë droni që ushtria amerikane humbi teksa patrullonte territorin iranian. Autoritetet e këtij vendi pasi e rrëzuan avionin e morën nën kontrollin e tyre dhe refuzojnë t’ia kthejnë Uashingtonit, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të tij.
Qeveria amerikane druhet se shkencëtarët iranianë mund të kopiojnë ndërtimin e objektit dhe për rrjedhojë të pajisen me një prej teknologjive me të avancuara ushtarake.
Top Channel