Gjirokastër, bllokohen 150 kg marijuanë

26/01/2012 09:40

Policia e qytetit të Gjirokastrës ka sekuestruar një sasi prej 150 kilogramësh lëndë narkotike të tipit marijuanë, që kishte si destinacion Greqinë.

Lajmin e konfirmojnë burime policore lokale, sipas të cilave droga u bllokua në vendin e quajtur Pylli i Katundës.

Nga burimet mësohet se uniformat blu janë vënë në ndjekje të gjashtë personave, të cilët po transportonin marijuanën për në shtetin fqinj.

Burimet shtojnë se gjatë ndjekies trafikantët kanë hedhur drogën dhe kanë hapur zjarr ndaj forcave të policisë, të cilat janë kundërpërgjigjur. Nga shkëmbimi i zjarrit nuk ka pasur viktima.

Më pas, transportuesit e drogës kanë hedhur edhe armët dhe janë larguar në drejtim të Greqisë. Për këtë arsye, në kërkim të tyre është vënë edhe policia kufitare greke.

Sekuestrimi i drogës në Gjirokastër vjen pas asaj prej 621 kilogramësh kanabis të sekuestruar teksa po trafikohej për në Itali përmes tragetit të linjës Durrës-Bari.

Ngarkesa në fjalë, e ndarë në 298 pako, u gjet e fshehur në pjesën fundore të një automjeti tip “Renault” me targa të Shkodrës, që drejtohej nga 33-vjecari Aldoid Gjoni, me banim në Tiranë.

Gjoni u arrestua në flagrancë në orën 05.00 të mëngjesit të së mërkurës, ndërkohë që grupi hetimor njoftoi si zakonisht se po punon për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë trafik të narkotikëve.

Dy javë më parë një tjetër sasi prej 200 kilogramësh kanabis sativa dhe 10 kg heroinë u sekuestruan gjatë kontrollit të ushtruar në pikën e automjeteve të portit të Durrësit, ndërsa në fund të dhjetorit qenë sekuestruar 797 kg të tjerë të bimës narkotike.

Trafikimi mes dy brigjeve të Adriatikut i kësaj lënde narkotike dhe më pas hedhja e saj në tregun europian sjell fitime kolosale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA