Brazil, shemben dy ndërtesa 20-katëshe

26/01/2012 08:45

Dy ndërtesa, njëra prej të cilave pothuajse 20-katëshe, janë shembur në Rio de Zhaneiro, në Brazil, duke mbushur rrugët me tym e pluhur dhe duke mbuluar makinat me copa tullash.

Autoritetet lokale deklarojnë se të paktën 11 persona dyshohet se ndodheshin brenda ndërtesave, pesë prej të cilëve janë shpëtuar nga ekipet e ndërhyrjes së shpejtë.

Shkaqet e shembjes mbeten të paqarta, por dëshmitarët flasin për një shpërthim dhe një erë të fortë gazi.

Kryetari i bashkisë së qytetit, Eduardo Paes deklaron se aktualisht vëmendja është tek operacionet e shpëtimit dhe në përfundim të tyre do të hetohen shkaqet.

Sipas të dërguarit të BBC, skuadrat e shpëtimit kanë mundur të nxjerrin nga ndërtesa e shembur një pastrues që kishte mbetur i bllokuar në një ashensor, pasi ai kishte bërë një telefonatë me celular.

Ndërtesat, të vendosura në afërsi të Teatrit Bashkiak dhe zyrave të gjigantit të naftës Petrobras, prishën gjatë shembjes një kantier 4-katësh ndërtimi.

Zona përreth ndërtesave është mbuluar nga pluhuri, ndërsa shumë makina të parkuara janë të mbuluara nga copa tullash e betoni që i përkisnin objekteve.

Dhjetra ekipe shpëtimi ndodhen në vendin e ngjarjes dhe policia ka rrethuar zonën, ndërsa elektriciteti në zonë është ndërprerë për arsye sigurie.

“Ishte si një tërmet. Në fillim disa copa të ndërtesës filluan të binin. Njerëzit u larguan me vrap dhe më pas ato ranë të dyja njëherësh”, ka treguar një dëshmitar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA