Australi, kryeministrja shpëton nga protestuesit

26/01/2012 00:00

Kryeministrja australiane Julia Gillard dhe lideri i opozitës Tony
Abbott janë shpëtuar nga truprojat dhe policia pasi kishin mbetur të
bllokuar nga një grup protestuesish të inatosur.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat lokale, sipas të cilave rreth 40 policë shoqëruan Gillard dhe Abbott nga një restorant i qytetit të Kanberrës, pasi ai u rrethua nga rreth 200 mbështetës të së ashtuquajturës Ambasada e Vendasve.

Ka qenë Abbott që fillimisht ka acaruar protestuesit, me një deklaratë se kishte ardhur koha që të mbyllnin kampin e tyre me cadra, që shënon plot 40 vjet nga ngritja.

Dy politikanët ishin atje për të marrë pjesë në një ceremoni ku u nderuan me medalje personat që kishin ndihmuar komunitetet gjatë fatkeqësive natyrore, si zjarreve të vitit 2009 në Viktoria dhe përmbytjeve të viteve 2010 dhe 2011 në Kuinslend.

Por gazetat australiane raportojnë se policia anti-turmë u thirr në restorant pasi protestuesit ishin mbledhur jashtë tij dhe thërrisnin “turp” dhe “racistë” ndaj dy politikanëve.

Zonja Gillard dhe zoti Abbott u detyruan të prisnin 20 minuta përpara se policia t’i shoqëronte jashtë nga një derë tjetër. Sipas të dërguarit të BBC, kaosi shpërtheu kur një nga truprojet e kapi kryeministren nga shpatullat dhe e coi deri tek makina që e priste.

Ajo u duk sikur u pengua dhe në fakt kishte humbur një këpucë. Protestuesit vazhduan të godisnin makinën derisa ajo u nis me shpejtësi.

Mediat raportojnë se manifestuesit ishin inatosur nga deklarata e zotit Abbott në një intervistë televizive, që thoshte se ishte koha që kampi i cadrave të mbyllej.

Kampi në fjalë, i njohur ndryshe si ambasada prej tendash, u ngrit në vitin 1972 nga katër persona, në shenjë proteste ndaj refuzimit të kryeministrit të atëhershëm për të njohur të drejtat e banorëve indigjenë.

Top Channel