
Presidentja e Argjentinës ka dënuar deklaratën e javës së kaluar të
kryeministrit britanik se qeveria e saj po sillet si një kolonialiste
lidhur me cështjen e ishujve Falkland.
Në shfaqjen e parë publike pas operacionit, Cristina Fernandez de Kirchner i ka cilësuar deklaratat e David Cameron si “të pakuptimta”.
Një shenjë e shkaktuar nga operacioni dukej qartë në gurmazin e presidentes teksa fliste në selinë qendrore të qeverisë argjentinase. Prillin që vjen shënohet 30-vjetori i fillimit të luftës në Falkland.
“Ata po përpiqen të na portretizojnë si njerëz të këqinj apo të dhunshëm, por ne nuk jemi aspak të tillë”, ka deklaruar zonja Fernandez, e shfaqur pas 20 ditësh trajtimi mjekësor.
Zoti Cameron sulmoi ashpër Argjentinën javën e kaluar kur akuzoi vendin se kishte përdorur një sjellje kolonialiste mbi cështjen e ishujve të diskutuar.
Javën e kaluar, një grup protestuesish marshuan përpara ambasadës britanike në Buenos Aires, duke djegur flamurin e Mbretërisë së Bashkuar dhe duke kërkuar ashpërsimin e marrëdhënieve diplomatike me Londrën.
Duke iu referuar deklaratës së zotit Cameron, zonja Fernandez u shpreh se, njerëzit thonë gjëra të pakuptimta atëherë kur nuk kanë argumente solide.
Komentet e saj erdhën pak para një fjalimi që do të mbante para mbështetësve të saj tek Pallati Presidencial i Argjentinës. Por ato tregojnë edhe sa e ndjeshme mbetet cështja e ishujve Flakland në shoqërinë argjentinase.
Top Channel