Rick Santorum, pretendenti për t’u zgjedhur kandidat për president të Shteteve të Bashkuara nga radhët e republikanëve vazhdon t’u qendrojë bindjeve të tij ultra-konservatore.
Deklarata e radhës e tij, që po shkakton mjaft polemika në vend, ishte ajo e dhënë për rrjetin televiziv, CNN ku tha se ishte kundër abortit, madje edhe kur shtatzënia ishte shkaktuar nga një përdhunim.
“Femrat e përdhunuara nuk duhet të ndërpresin shtatzëninë e tyre. Edhe ata fëmijë, që lindin nga një ‘lidhje’ e tillë janë një dhuratë e Zotit”, tha Santorum, duke shtuar më pas se të njëjtën gjë do t’i këshillonte edhe vajzës së tij nëse do të ngelte shtatzënë pas një përdhunimi.
Lidhur me bindjet e tij, përsa i përket kësaj cështje, mjaft e ndjeshme për publikun amerikan, Santorum ka shpallur në programin e tij edhe një projekt-draf ligjor, që synon ta sanksionojë në kushtetutën amerikane e ku ndalohet totalisht aborti, përvec rasteve kur në rrezik është jeta e nënës.
Gjithsesi, Santorum, megjithëse është ende në garën republikane, nga shumë nuk shihet si i aftë të rivalizojë Mitt Romney-n dhe Newt Gingrich, dy emrat favoritë mes të cilëve, sipas të gjitha gjasave do të ndahet edhe se kush do të sfidojë Obama-n në zgjedhjet presidenciale që mbahen këtë vit.
Top Channel