Meksikë, Los Zetas karteli më i madh

25/01/2012 21:40

Për agjencinë private amerikane të inteligjencës Strategic Forecasting, Stratfor, karteli i drogës Los Zetas është fraksioni kriminal më i madh në Meksikë.

Sipas Stratfor, karteli në fjalë ka kaluar atë të Sinaloas, i udhëhequr nga Joaquin “El Chapo” Guzman, i renditur nga “Forbes” mes njerëzve më të pasur në botë.

Gjithashtu, agjencia private e inteligjencës vlerëson se në fund të vitit 2011, Los Zetas ka operuar në më shumë se gjysmën e shteteve të Meksikës, plot 17 kundrejt 16 të rivalit.

Motiv i këtij zgjerimi të kartelit, sipas burimit, është përdorimi i dhunës nga anëtarët e saj, ndërkohë që liderët e Sinaloas kanë filluar të preferojnë më shumë korrupsionin.

Los Zetas ka qenë dikur pjesë e Sinaloas dhe përbëhej vetëm nga vrasës me pagesë, të cilët pasi vunë re fitimet e mëdha nga trafiku i drogës, u shkëputën duke kërkuar pjesën e tyre.

Në Meksikë janë gjashtë kartelet më të mëdha të drogës, të cilat përvec Los Zetas dhe Sinaloas janë: karteli i Tihuanës, karteli i Gjirit, La Familia dhe Beltran Leyva.

Pasi furnizohen nga “kolegët” kolumbianë, grupet kriminale meksikane kujdesen për kalimin tranzit të kokainës, marijuanës dhe drogave sintetike drejt Shteteve të Bashkuara.

Autoritetet meksikane deklarojnë se rreth 13 mijë persona janë vrarë në aktet e dhunës të atribuara krimit të organizuar mes janarit dhe shtatorit të vitit të kaluar.

Dy ditë më parë, forcat e sigurisë ndërmorën një operacion të rëndësishëm, duke arrestuar 11 anëtarë të kartelit të drejtuar nga Guzman, personi më i kërkuar nga agjencitë amerikane të anti-drogës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA