Presidenti palestinez Abu Mazen ka njoftuar mbylljen e përkohshme të bisedimeve për paqen me Izraelin, të promovuara nga Jordania me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
“Autoriteti Kombëtar Palestinez i konsideron për momentin të mbyllura bisedimet paraprake me Izraelin”, ka deklaruar Mazen pas një takimi me mbretin Abdallah.
Deklarata e tij ka ardhur pak orë pas një takimi të zhvilluar të martën mes negociatorëve Saeb Erekat dhe Ytzhak Molcho, që përfaqësojnë Palestinën dhe Izraelin.
Njoftimi ka kapur në befasi shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila ndodhet në rajonin e Lindjes së Mesme pikërisht për të rinisur bisedimet.
Edhe liderë të tjerë perëndimorë prisnin që të martën të vendosej rifillimi i negociatave, të cilat kanë qenë të bllokuara që prej vitit 2010, kur Izraeli refuzoi të ngrinte ndërtimet koloniale në Bregun Perëndimor.
Top Channel