Dy punonjës të huaj, të marrë peng në Somali tre muaj më parë, u liruan pas një sulmi të rrallë të ushtrisë amerikane ditën e mërkurë.
Pentagoni ka konfirmuar se ishin trupat elitë të “Navy-Seals”, ata që u parashutuan në Somali gjatë natës dhe arritën të lironin punonjësit, pasi eliminimit fizik të të gjithë pengmarrësve.
Të dy pengjet, një grua amerikane dhe një burrë danez, gëzojnë gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa asnjë prej komandove nuk u lëndua në shkëmbimin e zjarrit.
Ky është operacioni i parë ushtarak i amerikanëve në Somali, që prej tërheqjes së tyre nga vendi, pas ndërhyrjes në mbështetje të forcave qeveritare, në vitin 1994.
Një zyrtar i Pentagonit, pranoi për mediat se operacioni u krye nga e njëjta brigadë speciale, e cila eliminoi Osama Bin Ladenin në Pakistan, në muajin maj, por nuk konfirmoi nëse ishin të njëjtët individë.
Pengmarrësit somalezë ishin kriminelë dhe jo terroristë të grupit islamik të al-Shababit, siç ishte menduar fillimisht. Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden, e konsideroi veten të impresionuar nga aftësia e forcave komando.
Më shumë se 150 persona të huaj vazhdojnë të mbahen peng në Somali. Shumica prej tyre janë marinarë, të kapur në det nga rebelët dhe për lirimin e tyre janë kërkuar shuma të mëdha parash.
Top Channel