Takim i liderave të SHBA-Kinë për Shën Valentin

24/01/2012 15:50

Zëvendëspresidenti i Kinës, Xi Jinping do të takohet në Uashington me Presidentin Barack Obama në ditën e Shën Valentinit, konfirmoi të martën Shtëpia e Bardhë.

Të dy liderat pritet të bisedojnë për detaje të shumta të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe për çështje të tjera me rëndësi globale dhe rajonale.

Sipas ekspertëve, takimi i 14 shkurtit do t’i shërbejë Pekinit për të shprehur shqetësimin e tij për zhvendosjen e vëmendjes së ushtrisë amerikane dhe drejt zonave direkte të ndikimit kinez në Azi.

Gjithashtu, pritet që amerikanët të ringrenë çështjen delikate të zhvlerësimit të qëllimshëm të monedhës juan, çka i jep një avantazh të padrejtë eksporteve kineze.

Xi, i cili besohet se do të zëvendësojë në krye të shtetit Hu Jintaon, pas tërheqjes së tij të paralajmëruar nga politika më vonë gjatë vitit, do të takohet edhe me numrin dy të Uashingtonit, Joe Biden, në të njëjtën kohë që do të vizitojë shtetet e Ajouas dhe Kalifornisë.

Xi shoqëroi Biden në një vizitë 5-ditore në Kinë në gusht, takim që kishte si synim kryesor krijimin e një raporti personal me trashëgimtarin presidencial kinez, për të cilin Uashingtoni ka pranuar më parë se ka patur shumë pak njohuri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA