Siri, vendet e Gjirit tërheqin vëzhguesit

24/01/2012 00:00

Shtetet e Gjirit Arab kanë njoftuar se do të tërhiqen nga misioni i vëzhguesve të Ligës Arabe në Siri.

Këshilli i Kooperacionit të Gjirit ka bërë gjithashtu një apel drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të shtuar presionin mbi Damaskun, për t’i dhënë fund ofensivës së dhunshme ndaj protestuesve.

Njoftimet vijnë pasi Siria refuzoi një plan të Ligës Arabe që presidenti Bashar al Assad të tërhiqej dhe vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Ministri i Jashtëm sirian, Walid Muallem deklaroi se disa shtete arabe janë bashkuar me komplotin e huaj për të destabilizuar vendin.

Duke folur pas mbledhjes së Këshillit, Muallem tha: “Një plan i ri kundër Sirisë përfshin Perëndimin dhe shtetet arabe”.

Sipas shefit të diplomacisë siriane, disa fuqi rajonale po ndërkombëtarizonin situatën në Siri duke i kërkuar Këshillit të Sigurimit për të ndërmarrë aksione kundër Damaskut.

Siria prej kohësh insiston se një komplot i huaj që mbështet grupet e armatosura fshihet prapa protestave popullore që kanë përfshirë vendin.

Kombet e Bashkuara deklarojnë se mbi 5 mijë persona janë vrarë gjatë përpjekjeve të qeverisë për të shtypur protestat që zgjasin prej 10 muajsh.

Nga ana e tij, Damasku zyrtar thotë se rreth 2 mijë anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë në trazira, të cilat janë bërë më të dhunshme për shkak të dezertorëve që janë bashkuar me opozitën.

Top Channel