Një ish-agjent i CIA-s ndodhet nën hetim nga autoritetet amerikane pasi para disa vitesh zbuloi emrat e disa kolegëve operativë për mediat, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.
John Kiriakou akuzohet se ka nxjerrë në dritë emrat e agjentëve që morën në pyetje një person të dyshuar si financieri i Al Kaedës, mbi të cilin u krye 83 herë teknika “waterboarding”.
Prokurorët deklarojnë se hetimi nisi pasi avokatët e të dyshuarve për terrorizëm hartuan një deklaratë ligjore në të cilën përfshiheshin detaje që nuk ishin dhënë nga qeveria.
Kiriakou, 47 vjec, do të dalë në gjykatë në Aleksandria, në Virxhinia, ditën e hënë, ai dyshohet se ka dhënë informacione sekrete për gazetarët, të cilët në këmbim i dhanë informacione për grupet mbrojtëse të të dyshuarve për terrorizëm.
Gjatë një marrjeje në pyetje të kryer së fundmi nga FBI, Kiriakou mohoi publikimin e emrave të agjentëve sekretë, duke bërë edhe një dëshmi me betim.
Në vecanti ai u pyet nëse kishte zbuluar për “New York Times” në vitin 2008 emrin e një oficeri që ndihmoi në marrjen në pyetje të financierit të Al Kaedës, Abu Zubaydah.
“Për Zotin jo”, u përgjigj agjenti sipas betimit të tij. Informacionet mbi marrjen në pyetje, që u zhvillua në vitin 2002, në atë kohë ishin të klasifikuara.
Zubaydah u mbajt i burgosur në Pakistan në vitin 2002 dhe cështja e tij është përdorur si një shembull nga kritikët e “waterboarding”, tortura që simulon mbytjen nga uji.
Top Channel