Mbi 70 të sëmurë kanë ndërruar jetë në Pakistan pasi u kuruan me disa pilula misterioze në një spital të qytetit të Lahores.
Lajmin e konfirmuan ditën e martë mediat vendase. Mjekimi u ishte dhënë 25 mijë pacientëve me probleme kardiologjike dhe në dhjetëra raste të provuara, ai shkaktonte komplikime me rezultat vdekjen.
Autoritetet kanë ngritur një komision hetimi, ndërsa është ende e paqartë se si një ilaç rezultoi të kishte efekte të tilla shkatërrimtare. Sipas mediave, nuk është ende e qartë nëse janë përdorur mjekime të skaduara apo nëse njerëzit kanë shërbyer si kavie për të testuar një ilaç të ri.
Rezultatet paraprake të hetimeve kanë shkaktuar arrestimin e tre drejtuesve të shtëpive të njohura farmaceutike.
Ndërkohë, sipas një mjeku përgjegjës në spitalin ku ka ndodhur tragjedia, bilanci i tragjedisë është i destinuar të rritet, ndërsa disa dhjetëra pacientë të tjerë janë në gjendje kritike për jetën.
Top Channel