Meksikë, ofensivë kundër kartelit Sinaloa

24/01/2012 00:00

Forcat meksikane të sigurisë kanë arrestuar 11 anëtarë të kartelit më të fuqishëm të drogës në vend, Sinaloa.

Ato thanë se personat e arrestuar punonin për bosin Joaquin “El Chapo” Guzman, njeriu më i kërkuar në Meksikë dhe më i kërkuari në të gjithë botën.

Ata u arrestuan në një operacion me helikopter në shtetin veri-perëndimor të Durangos, gjatë të cilit u vra dhe lideri rajonal i grupit, Luis Alberto Cabrera Sarabia.

Forcat e sigurisë deklaruan se vdekja e tij përbën një goditje të fortë për bandën e narkotrafikut në Durango dhe Ciuaua. Gjithashtu, Cabrera Sarabia akuzohet se ka kontrolluar një pjesë të mirë të drogës që është trafikuar në dy shtetet.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, gjenerali Ricardo Trevilla Trejo deklaroi se forcat e sigurisë lokalizuan fermën ku i dyshuari ndodhej javën e kaluar.

Më pas një skuadër e operacioneve speciale hyri në aksion dhe shkëmbeu zjarr me trafikantët. Cabrera Sarabia fillimisht arriti të arratisej me turprojën e tij, duke u fshehur në një zonë malore pranë fermës. Por më pas ai u gjurmua nga skuadra speciale dhe mbeti i vrarë në shkëmbimin e zjarrit.

Karteli i Sinaloas kontrollon shumicën e fluksit të kokainës, marijuanës dhe metamfetaminës drejt Shteteve të Bashkuara në rrugë ajrore, tokësore dhe detare dhe dyshohet se ka lidhje në 50 vende.

Lideri i saj, Joaquin “El Chapo” Guzman, u arrestua dhe u burgos në vitin 1993, por u arratis nga burgu i sigurisë së lartë tetë vjet më vonë duke u fshehur në një kosh me rroba, duke mashtruar autoritetet.

Top Channel