
Parashikimet për tregun e punës janë përkeqësuar krahasuar me vitin e kaluar, ka njoftuar Organizata Ndërkombëtare e Punës.
Organizata e ka vlerësuar situatën si një “sfidë urgjente” dhe ka deklaruar se qeveritë duhet të krijojnë 600 milionë vende pune në dekadën e ardhshme.
ONP ka deklaruar se situata është bërë pesimiste për shkak të dobësimit të ekonomisë globale. Ajo ka saktësuar se rreth 1.1 miliard persona në të gjithë botën vuajnë nga papunësia ose jetojnë në varfëri.
Një tjetër pikë e rëndësishme është zbulimi i ONP-së se, krijimi i vendeve të punës vitin e kaluar ishte shtyrë dhe nxitur nga kushtet e mira ekonomike në vendet në zhvillim në Amerikën Latine dhe Azinë Lindore.
ONP i bëri deklaratat e saj në raportin e përvitshëm mbi ecurinë e punësimit global. “Pavarësisht përpjekjeve të zellshme të qeverisë, kriza e vendeve të punës vazhdon e papakësuar, me një në tre vetë në rang botëror, ose 1.1 miliardë persona që janë të papunë ose jetojnë në varfëri”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i ONP-së, Juan Somavia.
Organizata iu referua tre viteve të fundit të krizës ekonomike që ka ndikuar në tregun e punës, si arsyeja kryesore për përkeqësimin e situatës.
“Parashikimi ynë është bërë më pesimist se vitin e kaluar, me mundësi për një ngadalësim serioz të kuotës së rritjes ekonomike”, deklaroi ekonomisti i ONP-së, Ekkehard Ernst.
Top Channel