Këshilli Suprem Ushtarak në Egjipt, autoriteti që qeveris vendin aktualisht, njoftoi se ka vendosur të heqë ligjin “për gjendjen e emergjencës”, ligj që qendronte në fuqi që prej 30 vitesh.
Marshalli Hussein Tantaui tha në një intervistë për mediat, se ligji kontradiktor, do të shfuqizohet ditën e mërkurë, në 1-vjetorin e ngritjes krye kundër ish-presidentit, Hosni Mubarak. Marshalli sqaroi se pavarësisht këtij vendimi, ligji do të aplikohet në “disa rrethana” që mbeten për t’u sqaruar në një kuadër ligjor më të plotë.
Populli egjiptian është qeverisur nën ligjin e emergjencës që nga viti 1967, me disa shfuqizime të përkohëshme deri në vitin 1981, vit në të cilin u vra presidenti Anuar Sadat dhe ngriti në pushtet të Hosni Mubarak.
Ligji i jepte autoriteteve fuqinë e pezullimit të disa të drejtave themelore të njeriut, si të drejtën e tubimit, censurës së medias, përgjimit të individëve dhe mbajtjen e tyre në burg për një kohë të pacaktuar edhe pse ndaj tyre mund të mos ekzistonin akuza të ngritura.
Top Channel