Përshkallëzimi i konfliktit me Iranin mund të detyrojë Britaninë që të dërgojë përforcime ushtarake në Gjirin Persik.
Kjo ishte deklarata që bëri të martën Ministri i Mbrojtjes, Philip Hammond, në një takim të përvitshëm me homologun e tij australian. Dërgimi i luftanijes “HMS Argyll” pranë ujrave iranianë gjatë javës së shkuar, në përforcim të flotës ndërkombëtare në ruajtje të Ngushticës së Hormuzit, sipas tij ishte një sinjal i qartë ndaj Teheranit.
Më parë, shteti aziatik kishte kërcënuar me mbylljen e ngushticës nëpërmjet të cilës kalojnë 40% të eksporteve botërore të naftës, në vend që sanksione të mëtejshme ndaj vendit do të vendoseshin.
Dërgimi në rajon i anijeve të rënda ushtarake amerikane, franceze dhe britanike parapriu vendosjen e sanksioneve mbi blerjen e karburanteve iraniane, të shpallura nga BE të hënën dhe nga SHBA disa javë më parë.
I pyetur nëse forca shtesë do të dërgohen pranë ujrave iraniane, Hammond tha: “Britania ka të gatshëm një kontigjent rezervë për çdo situatë që mund të krijohet dhe përkeqësimi i mundshëm i situatës ndërkombëtare mund të na detyrojë të rrisim prezencën ushtarake në zonë”.
Britania e Madhe dhe Irani kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që prej disa muajsh, pasi ambasada britanike në Teheran u sulmua dhe u dhunua nga protestues pro-qeveritarë.
Top Channel