SHBA, dorëhiqet kongresmenia Giffords

23/01/2012 15:50

Politikania amerikane, Gabrielle Giffords, e bërë e njohur pasi i mbijetoi një atentati gjatë vitit të shkuar, ka vendosur që të largohet nga vendi i saj në Kongres.

Në një deklaratë të publikuar në media të hënën, Giffords argumentoi se ka nevojë për kohë për të rikuperuar nga plagët e marra, por premtoi se do të mbetet në shërbim të komunitetit, duke iu kthyer së shpejti karrierës në administratë.

Në 8 janar 2011, ajo u sulmua nga një njeri i armatosur gjatë një mbledhje politike në Arizona. Gjashtë persona mbetën të vrarë në këtë incident, por kongresmenia arriti të mbijetonte mrekullisht, pavarësisht një plumbi të marrë në kokë.

Atentatori i quajtur Jared Loughner është deklaruar i paaftë mendërisht nga një grup ekspertësh dhe mbahet i mbyllur në një burg psikiatrik.

”Më duhet ende kohë për t’u rikuperuar dhe mendoj se Arizona ka nevojë për një përfaqësim më energjik në Kongres, prandaj kam vendosur të jap dorëheqjen time të parevokueshme”, shkruante Giffords në komunikatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA