Komisioneri i BE për Cështjet Financiare, Olli Rehn ka reaguar të hënën lidhur me situatën financiare në Greqi, ku nuk po duket ende dritë në fund të tunelit.
“Do të ishte mirë që një marrëveshje të arrihej brenda kësaj jave”, ka deklaruar Rehn, duke iu referuar negociatave mes kreditorëve dhe autoriteteve helene për ristrukturimin e borxhit.
Ndërkohë, në valën e mobilizimeve të përditshme të sindikatave në Greqi, ditën e hënë u përfshinë edhe punonjësit e sektorit të agrikulturës.
Ata protestojnë kundër rritjes së cmimeve të sigurimeve dhe për shumë detyrime të tjera të parashikuara me ligj, për shkak të të cilave ndodhen në një situatë të vështirë.
Ndërkohë, për të mërkurën më 25 janar janë parashikuar manifestime përpara të gjitha zyrave të entit për Sigurimet e Agrikulturës në rang vendi, si dhe përpara zyrave të ndërmarrjes elektrike shtetërore.
Bisedimet midis qeverisë dhe kreditorëve ngecën ditën e diel, pasi kryenegociatori u largua nga Athina pa arritur në një marrëveshje paraprake.
Instituti Ndërkombëtar i Financës, që përfaqëson grupin e huadhënësve, informoi se një skuadër teknike do të mblidhet së shpejti dhe do të punojë për detajet e negociatava, të cilat do të vazhdojnë me telefon.
Më parë, Athina kishte shprehur besimin e saj se një marrëveshje për këstin e ri madhor të huasë mund të arrihej përpara fundit të kësaj jave.
Kryeministri Papadhimos ka bërë të qartë se nëse nuk do të marrë ndihmën financiare, vendit nuk i mbetet gjë tjetër përvecse të shpallë falimentimin.
Top Channel