Nënkryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Shpend Ahmeti njoftoi protestuesit në Merdarë rreth orës 02:00, pas mesnatës për mbylljen e protestës.

Edhe ata pak protestues u shpërndanë të qetë duke lënë pas vetes, tendat e zbrazëta, zjarret e ndezura dhe një ambient përplot mbeturina. Por këto nuk janë më shqetësimet e Policisë së Kosovës.

“Më 14 janar urdhërat e qeverisë ishin shumë më të dhunshëm, ndërsa më 22 janar, ato ishin cnjerëzore. Edhe këtë herë policia ishte anti-njerëzore. Duke mos ndërhyrë dhunshëm në protestë, duke pranuar protestën si të drejtë legjitime, paqësore, ajo cdo mjet të ekzistencës së saj, përfshirë këtu ushqimin, ujin, tendat, gjeneratorët, reflektorët…Qeveria iu tha qytetarëve: keni të drejtë të protestoni por nuk keni të drejtë të hani, të pini as të ngroheni”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj.

Vetëvendosje prezantoi dokumente të cilat tregojnë se janë konfiskuar gjeneratorët, drunjtë për ngrohje, batanijet dhe pajisje të tjera dimërore. Por për Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, protesta ishte një fitore e dyfishtë, edhe për rendin edhe për protestuesit.

Ai shpjegon se sikurse me 14 janar, ashtu edhe më 22 janar reagimet e policisë janë varur nga situata. Sipas tij me 14 janar “Vetëvendosje” ka dashur të marrë kontrollin mbi kufirin dhe kjo ka qenë e papranueshme.

“Nuk kam pse të shoh si dështim, as policinë, si një strukturë shumë të besuar të shtetit, as dështim të Vetëvendosjes. Mund të jetë mënyra që nuk më pëlqen, prap është vlerësimi i  tyre. Jam shumë i kënaqur që kanë përfunduar përkohësisht këto protesta pa dëme, pa përdorim të forcës. Ndoshta është fitore e të dyja palëve që është ruajtur situata e tillë dhe nuk ka patur dëmtim të qytetarëve”, tha ministri Rexhepi.

I pyetur për vënien e masave të reciprocitetit, p.sh mbulimi i targave të Republikës së Serbisë, ashtu si shteti serb mbulon ato të Republikës së Kosovës, kjo sipas ministrit Rexhepi nuk është vetëm në duart e autoriteteve kosovare, por edhe të ndërkombëtarëve.

“Edhe Kosova mund të ndërmarrë këtë hap, por në konsultim me Komisionin Europian. Për ndërkombëtarët ky vendim do të ishte kthim pas, ndërkohë që synimi është të lehtësohet lëvizja e lirë”, deklaroi Rexhepi.

Ndërkohë, Dogana e Kosoves konfirmoi se për 12 ore sa zgjati protesta e Vetëvendosjes asnjë maune me mall me origjinë nga Serbia nuk ka hyrë në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA