Në Afërditë ka jetë

23/01/2012 16:20

Një shkencëtar rus pretendon se ka arritur të zbulojë se në planetin e Afërditës ka jetë, pas fotografive të riegzaminuara, të kapura nga një satelit rus, i cili u ul në sipërfaqen e planetit 30 vjet më parë.

Fotografitë e planetit të dytë në radhën e largësisë nga Dielli janë marrë në vitin 1982, por u rishqyrtuan me disa teknika të reja nga Leonid Ksanfomaliti, antar i Akademisë Ruse të Shkencave dhe kërkues i Institutit Hapësinor.

Ksanfomaliti ka arritur të identifikojë një trup, i cili është shumë i ngjashëm me një akrep. Nga sekuenca e fotografive të marra dhe të zmadhuara, duket qartë se “akrepi” ka qenë në lëvizje, kur sekuenca fotografike e ka fotografuar pa patur atë si objektiv.

Afërdita është planeti më i ngjashëm me Tokën në sistemin tonë diellor përsa i përket madhësisë. Diametri i Afërditës në ekuador është prej 12 201 kilometrash, ndërsa ai i Tokës vetëm shtatë kilometra më shumë.

Megjithatë, struktura e tij është tërësisht e ndryshme. Afërdita është planeti më i nxehtë në sistem, falë atmosferës së përbërë në 97% të saj nga dioksidi i karbonit, një gaz që krijon një efekt serë jashtëzakonisht të fortë.

Planeti ka një distancë prej 67,2 milion kilometrash nga Dielli, tre herë më afër se Toka dhe ka një temperaturë konstante prej 480 gradësh në sipërfaqe. Afërdita është më e nxehtë edhe se Mërkuri, planeti i ndodhur më pranë Diellit.

Ndonëse mundësia që jeta të ekzistojë në këtë planet është hedhur kategorikisht poshtë në të shkuarën nga studime serioze, Ksanfomaliti argumeton se “shkencëtarët që nuk i besojnë këto teori nisen nga parakushti i gabuar se jeta në planete të tjera duhet të plotësojë të njëjtat kushte në si në Tokë. Megjithatë, oksigjeni dhe uji nuk janë kushte të detyrueshme për ekzistencën e formave të jetës jashtë planetit tonë”.

FOTO GALERI
1/2
Akademiku rus, mbeshtetes i teorise se ne Aferdite ka jete

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA