Kompania Energjitike CEZ Shpërndarje i është përgjigjur ankesave të qyetarëve drejtuar Avokatit të Popullit lidhur me pakënaqësitë e krijuara nga mbifaturimi, mos transparenca e leximit të sahateve e të tjera.
CEZ do t’i kërkojë qeverisë heqjen nga faturat e saj të pagesës mujore për Televizionin Publik Shqiptar.
“Vazhdon që objekti i aneksave të qytetarëve të jetë mos faturimi i rregullt, ka probleme në lidhje me transparencën, ka pasur probleme lidhur me zyrat e komunikimit me qytetarët për Shërbimin me Klientin, problem ka shkaktuar edhe taksa vjetore e Televizonit Shqiptar, vula e përbashëkt me Ministrinë e Financave”, tha Komisionerja e Avokatit të Popullit, Florina Nuni.
“Mos harroni faktin se në Shqipëri kemi 1.1 milion konsumatorë dhe imagjinoni numrin e kërkesave. Unë mund të them që punonjësit tanë janë njerëz dhe gabojnë, por ata që kanë përsëritur gabimin ne i kemi pushuar nga puna. Vetëm për 2011 kemi pushuar 50 faturistë, dhe 150 punonjës të kujdesit ndaj klientit. Për sa i përket taksës së televizionit, do të bëjmë cështë e mundur për ta hequr nga faturat e energjisë” tha Marti Nemeck, Menaxher i CEZ Shpërndarje.
Në një takim ndërmjet Entit Rregullator të Energjisë, kompanisë CEZ dhe Avokatit të Popullit, avokati Totozani ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme të të gjithë ankesave të qytetarëve të mbërritura në këtë institucion.
“Avokati i Popullit kërkon nga institucionet përgjigje të menjëhershme dhe një drejtim rigoroz të të gjitha kërkesave që ai dërgon në institucionet tuaja sepse këto kërkesa janë kërkesa të qytetarëve shqiptarë”, tha Avokati i Popullit, Igli Totozani.
Përfaqësuesi i CEZ ka premtuar përgjigje dhe zgjidhje të menjëhershme të ankesave të qytetarëve që kalojnë nga Avokati i Popullit drejt kësaj kompanie.
Top Channel