Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, ja kush janë më të votuarit për deputetë deri më tani Krerët më të lartë të Bashkimit Europian përshëndetën rezultatin pozitiv të referendumit të së dielës në Kroaci, pro anëtarësimit.
Në një komunikatë të përbashkët për shtyp, Presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso thonë se nje gjë e tillë “dërgon një sinjal të qartë ndaj gjithë rajonit dhe tregon se kurajo politike dhe reformat vendimtare e bëjnë të prekshëm anëtarësimin”.
Njësoj edhe Presidenti i sapozgjedhur i Parlamentit Europian, Martin Schultz, thotë se “Shembulli kroat i dërgon sinjale pozitive dhe inkurajuese të gjithë rajonit të Ballkanit, se kur ndiqen reformat, BE përgjigjet”. Ndërkohë që Këshilli i Ministrave të Jashtëm mirëpriti kolegen kroate Vesna Pusiç, e cila ulet për herë të parë në tryezën ku ndër të tjera, diskutohet edhe për Serbinë dhe Kosovën.
“Është një rezultat mjaft i pëlqyeshëm e do të jetë shumë kënaqësi që të kemi Ministrin e ri të Jashtëm të Kroacisë që do të ulet me ne në këtë Këshill të parë mbi çështjet e jashtme, duke iu bashkuar 27-shes. Megjithëse quhet statusi i vëzhguesit, unë shpresoj shumë të shoh Kroacinë në përparimin tonë dhe kjo është një kënaqësi e madhe”, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton.
“Së pari dua të përgëzoj Kroacinë për referendumin, një lajm i mirë për Kroacinë dhe Europën. Kjo tregon se çfarë mund të arrijë Europa Juglindore me kurajo politike e vendosmëri të vërtetë dhe është e këndshme të mirëpresim kolegun tonë kroat sot”, deklaroi William Hague, Sekretari Britanik i Shtetit për Cështjet e Jashtme.
“Sa herë një vend përmbush kushtet për t’u bashkuar me ne, është diçka e mirë, e sidomos kur është nga rajoni i Ballkanit, ku ne duhet të tentojmë të zgjerojmë sa më shpejtë Unionin me këtë rajon, në kushtet më të mira të mundshme”, thotë Didier Reynders, Ministër i Jashtëm i Belgjikës.
Nëse ratifikimi nga vendet anëtare vijon pa pengesa, Kroacia pritet të anëtarësohet në BE më 1 korrik të vitit 2013.
Top Channel