Dy ish-kandidatë për president në Kenia do të dalin në gjyq për krime kundër njerëzimit, pas dhunës pas-zgjedhore që përfshiu vendin në vitin 2007, vendosi Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës.
Ministri i Financave, Uhuru Kenyatta dhe ish-Ministri William Ruto, përballen të dy me akuza për organizimin e përballjeve të dhunshme, që sollën vdekjen e 1 200 personave.
Presidenti i Kenias, i frikësuar për trazira të reja nga mbështetësit e dy figurave të rëndësishme të politikës së vendit, i lëshoi një apel shtetasve për qetësi. “Kombi ynë i lavdishëm ka kaluar me dinjitet shumë momente më të vështira”, u shpreh Mwai Kibaki.
Kenyatta, djali i presidentit të parë të vendit, vlerësohet si një prej personave më të pasur në Afrikë. Së bashku me të është arrestuar edhe ndihmësi i tij më i afërt, zëvendësministri Francis Mutaura.
Mbi të dy rëndon akuza e krimeve kundër njerëzimit, përfshi vrasje, tortura dhe persekutim, pas përleshjeve paszgjedhore të vitit 2007, të cilat i morrën jetën 1 200 personave dhe shkaktuan zhvendosjen e 600 mijë të tjerëve.
Ish-Ministri i Arsimit, William Ruto dhe një prezantues i mirënjohur radiofonik janë arrestuar për llogari të një hetimi të dytë, pasi ata ftuan popullin në kryengritje kundër presidentit Kibaki, thirrje që shkaktuan revolta vdekjeprurëse në të gjithë vendin.
Top Channel