70 vjet pas “Holokaustit” që i mori jetën mbi gjashtë milion hebrenjve në dhomat e gazit të kampeve naziste të përqendrimit, shoqëria gjermane vazhdon të jetë thellësisht anti-semite.
Ky është përfundimi i një studimi ekspertësh, në një raport të adresuar Bundestagut (Parlamentit), ditën e hënë.
Në raport lexohet se interneti ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen drastike të numrit të atyre që nuk pranojnë shfarrosjen sistematike të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në të njëjtën kohë që ka forcuar pikëpamjet ekstremiste dhe ato islamike.
”Në shoqërinë gjermane vërehet një pranim gjithmonë e më i madh i veprimeve anti-semite”, argumentonte grupi i ekspertëve, i ngritur me një vendim qeveritar në vitin 2009.
Gjermania, për shkak të historisë së saj, është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj anti-semitizmit dhe përhapjes së ndienjave raciste.
Megjithatë, raportet e Berlinit me Tel Avivin konsiderohen si të shkëlqyera, me shtetin izraelit që e ka përshëndetur Gjermaninë disa herë më parë për qëndrimin e qartë dënues, që autoritetet mbajnë rreth regjimit nazist dhe krimeve të Luftës së Dytë Botërore.
Një revistë hebrehe, shkruante në fillim të janarit se: “Sot, komuniteti hebre me rritjen më të shpejtë është ai gjerman. Kemi artista hebrenj, shkrimtarë dhe sipërmarrës që jetojnë qetësisht në këtë vend”.
Sidoqoftë, brenda Bashkimit Europian, statistikat tregojnë se Gjermania, Polonia, Hungaria dhe Portugalia janë shtete më anti-semite. Në vitin 1989, përpara shembjes së Murit të Berlinit, popullsia e hebrenjve që jetonte në vendin me 82 milion banorë llogaritej në 30 mijë, por që prej atëherë është rritur me 200 mijë antarë.
Top Channel