Francë, ligji i genocidit armen në Senat

23/01/2012 15:45

Protesta të përhapura të komunitetit turk janë duke u mbajtur në Francë, ndërsa Senati është në prag të votimit të ligjit të debatueshëm mbi genocidin armen.

Nëse edhe Senati do ta kalojë këtë projektligj, të miratuar më parë nga Dhoma e Ulët e Parlamentit, të gjithë ata që do të mohojnë ose do të propagandojnë kundër genocidit armen, do të përballen me gjobë dhe ndëshkim deri në një vit burg.

Më parë, Ankaraja tërhoqi në shenjë proteste ambasadorin e saj nga Parisi dhe kërcënoi me masa të njëanshme ndaj Francës, nëse do të aprovohet ligji.

Sipas historianëve armenë, 1,5 milion bashkëkombas u masakruan në vitet 1915-16, kur Perandoria Osmane ishte e angazhuar kundër vendeve aleate, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Megjithatë, Turqia i refuzon me forcë këto pretendime, duke pranuar vetëm një humbje prej 300 mijë jetësh, të shkaktuara si pasojë e rreshtimit të armenëve në anën e Perandorisë Ruse, një rival në konflikt.

Në një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Ankaranë, presidenti Sarkozy i ka dërguar një letër kryeministri Erdogan, në të cilën thekson se ligji nuk është i drejtuar kundër Turqisë, por synon vetëm të vendosë në vend një padrejtësi historike, pas vuajtjve që kanë kaluar armenët.

Ironikisht, ligji në Senatin Francez vjen në momentin kur Parisi dhe Ankaraja po përjetonin një klimë në ngrohje të vazhdueshme, pas bashkëpunimit në konfliktin libian dhe mbështetjen e përbashkët të opozitës siriane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA