Mëngjesi i 23 janarit ka aguar i qetë dhe pa protestues në rrugë tek
vendi i quajtur “Dy urat” në dalje të Podujevës. Edhe pse nuk ka
protestues në këtë zonë, ende në zonë vihen re forca të mëdha policore.

Sic raporton Kosovapress, rreth orës 8.00 të mëngjesit mbërriten në zonë edhe forca shtesë të Policisë së Kosovës, të cilën u vendosën përtej dy urave ku u mbajt protesta.

Pas vështirësive për qëndrim të protestuesve që u krijuan në të dy pikat kufitare, protesta te Dheu i Bardhë ka përfunduar të dielën pak para orës 23.00, kurse protestuesit afër pikës kufitare në Merdarë janë shpërndarë rreth orës 2.00 të mëngjesit të sotëm.

Vendimin për ndërprerjen e protestave e kanë marrë krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi policia bllokoi materialet logjistike në ndihmë të protestuesve.

Zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se për vazhdimin e protestës apo për veprime të tjera do ta njoftojnë opinionin me kohë.

Ndërpritet protesta në Merdarë

Në një test force dhe qëndrese, për shumë orë me radhë, 4 km larg pikës kufitare të Merdarës, u zhvillua protesta e lëvizjes Vetëvendosje “Serbia nuk kalon”, ashtu siç në fakt duhet të ishte mbajtur më 14 janar.

Kordoni i policisë në protestën e 22 janarit ishte krijuar pak km më tej, në udhëkryqin e Orllanit mes dy urave, ku për orë me radhë u ngujuan protestuesit e Vetëvendosjes me parrullat kundër qeverisë dhe për bashkim kombëtar.

Pas një udhëtimi ku makina e tij u kontrollua nga policia, kreu i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti shpjegoi arsyet se përse pas shfuqizimit të mocionit për reciprocitet të plotë, VV po protestonte sërish.

Dheu i Bardhë, largohet Vetëvendosja në orët e vona

Pas më shumë se 9 orë e gjysmë të qëndrimit të tyre në afërsi të pikës kufitare të Dheut të Bardhë, protestuesit e lëvizjes Vetëvendosje kanë ndërprerë protestën e tyre. Ata thanë se do t’i bashkangjiten protestuesve të tjerë në Merdare.

Ka qenë Dardan Molliçaj nga Vetëvendosje që u ka dhënë këtë lajm protestuesve të mbetur që kishin sfiduar deri në orën 22.30 të së dielës temperaturat nën 0 gradë Celsius.

“Për shkak të kushteve të rënda logjistike “falë” Policisë së Kosovës, jemi të detyruar ta ndërpresim protestën. Do e vazhdojmë protestën në Merdare.”

Që nga ora 13.00 aktivistë dhe mbështetës të Vetëvendosjes bllokuan korsitë e rrugës duke kthyer mbrapsht dy makina me targa serbe.

Ndërsa asnjë maune me mallra serbe nuk erdhi deri tek protestuesit që ndodheshin 1 kilometër larg portës kufitare. Policia e Kosovës gjatë kësaj kohe kishte shtuar prezencën e saj dhe qëndronte pranë protestuesve, por gjithçka ishte e qetë dhe nuk u shënua ndonjë incident.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA