Pas më shumë se 9 orë e gjysmë të qëndrimit të tyre në afërsi të pikës kufitare të Dheut të Bardhë, protestuesit e lëvizjes Vetëvendosje kanë ndërprerë protestën e tyre. Ata thanë se do t’i bashkangjiten protestuesve të tjerë në Merdare.

Ka qenë Dardan Molliçaj nga Vetëvendosje që u ka dhënë këtë lajm protestuesve të mbetur që kishin sfiduar deri në orën 22.30 të së dielës temperaturat nën 0 gradë Celsius.

“Për shkak të kushteve të rënda logjistike “falë” Policisë së Kosovës, jemi të detyruar ta ndërpresim protestën. Do e vazhdojmë protestën në Merdare.”

Që nga ora 13.00 aktivistë dhe mbështetës të Vetëvendosjes bllokuan korsitë e rrugës duke kthyer mbrapsht dy makina me targa serbe.

Ndërsa asnjë maune me mallra serbe nuk erdhi deri tek protestuesit që ndodheshin 1 kilometër larg portës kufitare. Policia e Kosovës gjatë kësaj kohe kishte shtuar prezencën e saj dhe qëndronte pranë protestuesve, por gjithçka ishte e qetë dhe nuk u shënua ndonjë incident.

Në temperatura të ulta zjarret ishin të shpeshta dhe si mënyrë e vetme për tu ngrohur.

Në orët e vona të mbrëmjes të së dielës është njoftuar një incident nga Policia e Kosovës. Në një autobus me të cilin udhëtonin protestuesit e Vetëvendosjes, një person është therur me thikë. Personi është lënduar në dorën e majtë dhe nuk ka rrezik për jetën.

Kjo është hera e dytë që lëvizja Vetëvendosje protestojnë tek Dheu i Bardhë. Një javë më parë, më 14 janar, protagonistë ishin deputetët e forcës së tretë parlamentare të cilët u arrestuan nga policia dhe u liruan më pas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA