SHBA, Gingrich fiton Karolinën e Jugut

22/01/2012 09:05

Newt Gingrich mposhti bindshëm Mitt Romney dhe rivalët e tjerë në raundin e tretë të zgjedhjeve të republikanëve në SHBA, zhvilluar në shtetin e Karolinës së Jugut.

Fituesi do të sfidojë presidentin aktual, Barack Obama, në zgjedhjet e muajit tetor. Aktualisht, janë katër kandidatët e mbetur në garë.

Pas numërimit të të gjitha votave, Gingrich kishte grumbulluar një total prej 40% të tyre, i ndjekur nga Romney me 28%.

Për Romney, fitues në Ajoua dhe Nju Hempshajër, pritej një sukses i ri, por sipas ekspertëve, rezultati befasues rrezikon të shndërrojë fushatën zgjedhore në një garë shumë më të egër dhe me të gjatë nga sa pritej.

Shteti i Karolinës së Jugut konsiderohet edhe si një vend “fatsjellës”, duke qenë se që prej vitit 1980, kushdo që ka fituar në të, ka arritur në fund të marrë emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president.

Dy pretendentët e tjerë, ish-senatori i Pensilvanisë, Rick Santorum dhe përfaqësuesi i Teksasit në Parlament, Ron Paul, grumbulluan 17% dhe 13% të votave, përkatësisht.

Sipas ekspertëve, Romney është tashmë i detyruar të përshtasë një strategji të re, në mënyrë që t’i japë një përgjigje vendimtare të gjithë atyre që e kritikojnë për pasurinë e tij personale, aventurat e biznesit dhe manovrimet me taksat.

Rezultatet e Floridës, shtetit të ardhshëm ku do të mbahen votime, pritet të jenë përcaktuese në garën presidenciale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA