Qeveria ul rritjen ekonomike

22/01/2012 15:25

Qeveria është detyruar të ulë me gati 1 për qind rritjen ekonomike për vitin 2011 për shkak se ekonomia po ecën më ngadalë nga vlerësimet zyrtare.

Në mbledhjen e fundit, që mbajti pak ditë më parë ku miratoi kuadrin e ri makroekonomik e fiskal, Këshilli i Ministrave e zbriti rritjen ekonomike për 2011-ën nga 3.9 për qind në 3 për qind.

Kjo është e disata herë kur qeveria, është detyruar të ulë vlerësimin zyrtar të rritjes ekonomike për vitin e kaluar. Në nëntor 2010-ës, kur paraqiti për herë të parë projektbuxhetin për vitin që lamë pas, qeveria parashikonte se prodhimi kombëtar do të rritej me 5.5 për qind. Por ky variant rezistoi vetëm pak muaj.

Fillimisht shifra zyrtare u ul në 5 për qind, me rishikimin e buxhetit në korrik dhe më pas nëntor zbriti në 3.9 për qind. Edhe pse institucionet ndërkombëtare, vlerësonin një rritje më të ulët sërish qeveria i qëndroi variantit të saj, deri pak ditë më parë, kur INSTAT publikoi shifrat e fundit të rritjes ekonomike.

Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit të kaluar rritja ekonomike zbriti në nivelin minimal 0.5 për qind, ndërsa si gjashtëmujor shifra ishte më e ulët se 2 për qind. Kjo ka rrëzuar automatikisht pritshmëritë e qeverisë, e cila më vendimin e fundit është detyruar ta zbresë rritjen ekonomike zyrtare në 3 për qind, shifër më e ulët jo vetëm se ajo e vitit 2010, por edhe nga 2009-a.

Por edhe varianti i fundit zyrtar prej 3 për qind është sërish më i lartë nga sa parashikojnë ndërkombëtarët. Vlerësimi më i fundit i fondit monetar ndërkombëtar për rritjen ekonomike të shqipërisë në 2011-ën është 2 për qind, ndërsa ai i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim 1.9 për qind.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA