Zhvillimet e fundit në Kosovë dhe situata e tensionuar midis PDK-së dhe Vetëvendosjes ka bërë që për momentin, çështja e barrikadave të lihet momentalisht në harresë.
E ndërsa të dy partitë synojnë të fitojnë një mbështetje sa më të gjerë për kauzat e tyre, analistët ngrejnë shqetësimin sa një situatë e tillë konfliktuale mund të fitojë Serbia, e cila mund të forcojë pozitat e saj në krahinat e veriut të vendit.
”Nuk ka asgjë të keqe që të ketë garë politike, por gara nuk do të duhej që të zhvendoste vëmendjen prej problemeve të mirëfillta, siç është veriu. Kemi dy javë që në mediat tona dominojnë tekste për protesta, për dhunën që është manifestuar e pothuajse nuk dëgjojmë më asgjë për veriun”, tha për të përditshmen “Zëri”, analisti Adrian Arifaj.
Nga ana e tij, opinionisti Behxhet Shala, argumenton se Qeveria e Kosovës nuk e ka fuqinë e duhur që t’i heqë barrikadat në veri, prandaj atë pjesë të vendit e ka lënë në duart e ndërkombëtarëve. Sipas tij, pamundësia e qeverisë që të kontrollojë tërë territorin e saj, po bën që të merren me protestat e “Vetëvendosjes”.
Se veriu ka mbetur jashtë “vëmendjes” nga të gjithë e pranojnë edhe zyrtarët serbë. Situata është njëjtë… askush nuk po interesohet për barrikadat”, ka thënë Oliver Ivanovic, i ashtuquajturi sekretar shtetëror për Kosovën.
Nga ana tjetër, Edita Tahiri, zëvendëskryeministre e Kosovës, vazhdon të thotë se duhet ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare për heqjen e barrikadave.
KFOR-i ka kohë që nuk ka dhënë asnjë sinjal nëse do të ketë apo jo aksion të radhës për heqjen e barrikadave. Të shtunën, një zëdhënës refuzoi t’i përgjigjej gazetarëve për këtë çështje.
Top Channel