Të paktën 100 mijë persona janë bashkuar në një protestë madhore në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, në mbështetje të kryeministrit të vendit, Viktor Orban dhe qeverisë së tij.
Pjesëmarrësit mbanin flamurë dhe parrulla në gjuhë të huaja, në të cilat i bëhej thirrje Bashkimit Europian që të respektonte sovranitetin e Hungarisë.
Brukseli kërcënoi më parë gjatë javës vendin me sanksione të ashpra, përfshi bllokimin e fondeve të ndihmës, në rast se nuk tërhiqte disa ligje problematike, që cënonin sovranitetin e Bankës Qëndore, lirinë e mediave dhe të dhënat personale.
Disa drejtues europianë kanë shkuar deri atje sa ta konsiderojnë sistemin qeverisës në Hungari si një “autokraci”. Orban dhe partia e tij Fidesz, janë në gjendje të ndryshojnë kushtetutën sipas vullnetit, pasi kanë në parlament një shumicë më të madhe se 2/3.
I ndodhur përballë presionit europian, Kryeministri pranoi të kryente disa ndryshime në ligjet e përfolura dhe do të takohet të martën me një Komision të BE-së, për të biseduar për çështjet teknike dhe pjesët e papërputhshme me kushtetutën e vendit.
Manifestimi madhor pro-qeveritar nisi nga sheshi i heronjve, i zgjedhur për të transmetuar një simbolikë të fortë. Demonstruesit marshuan nga bulevardi deri në sheshin përpara parlamentit.
”Unë do ta konsideroja një marsh për paqen, një marsh i cili i tregon qeverisë sonë se nuk është e vetme dhe që synon t’i tregojë BE-së se nuk jemi të gatshëm të vazhdojmë të trajtohemi në të njëjtën mënyrë, pa respektin që meritojmë”, u shpreh Zsolt Bayer, një editorialist i njohur.
Top Channel