Bisedimet midis Greqisë dhe kreditorëve për një kredi të ri madhore kanë dështuar, pasi kryenegociatori u largua të dielën nga Athina pa arritur në një marrëveshje paraprake.

Instituti Ndërkombëtar i Financës, që përfaqëson grupin e huadhënësve, informoi se një skuadër teknike do të mblidhet së shpejti dhe do të punojë për detajet e negociatava, të cilat do të vazhdojnë me telefon.

Më parë, Athina kishte shprehur besimin e saj se një marrëveshje për këstin e ti madhor të huasë mund të arrihej përpara fundit të kësaj jave. Kryeministri Papadhimos ka bërë të qartë se nëse nuk do të marrë ndihmën financiare, vendit nuk i mbetet gjë tjetër përveçse të shpallë falimentimin.

”Pa paketën e shpëtimit prej 130 miliardë eurosh nga BE dhe FMN, është e pamundur që Greqia të paguajë detyrimet e dy muajve të ardhshme”, u shpreh ai.

Instituti Ndërkombëtar i Financës, që përfaqëson kreditorët privatë, mohoi që drejtori i tij i përgjithshëm, Charles Dallara dhe këshilltari i tij, Jean Lemierre, u larguan papritur të shtunën, duke argumentuar se kishin “takime të paanullueshme të fiksuara që më parë”.

Një marrëveshje tashmë duket e pamundur të arrihet përpara mbledhjes së Ministrave të Financave të Eurozonës, javën e ardhshme.

Në muajin nëntor, vendet e BE-së pranuan që t’i akordonin Greqisë një hua të re madhore dhe t’i falnin 50% të borxheve, në këmbim të disa reformave thelbësore. Pamundësia e autoriteteve për të zbatuar të gjitha reformat e kërkuara, ka vendosur në pikëpyetje vazhdimin e mbështetjes së Brukselit për vendin Helen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA