I bashkon kujtimi për Ibrahim Rugovën. Mëngjesi i 21 janarit i ka gjetur politikanët nga pozita e opozita duke bërë homazhe e vendosur kurora lulesh pranë varrit të presidentit të ndjerë.
Në 6-vjetorin e vdekjes së tij, Rugova kujtohet si politikani i cili vuri themelet e shtetit të Kosovës. Nderimi nga ish-rivalët e tij politikë tashmë është bërë i përvitshëm.
Kryeministri Hashim Thaci por edhe zëvendësi i tij Behgjet Pacolli vlerësojnë se Rugova duhet të ketë respektin e të gjithëve për kontributin që ka dhënë në shtetndërtim.
“Sot jemi këtu për nderimet shtetërore për presidentin Rugova, për të bërë vlerësimin e nderimin më të lartë për jetën dhe veprën e tij për Kosovën e lirë. Ato do të vlerësohen maksimalisht nga institucionet dhe qytetarët e kosovës”, ka deklaruar Thaci.
Nderime te varri bënë edhe tre bashkëpunëtorët e Ibrahim Rugovës, Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa e Nexhat Daci, të cilët sot ndajnë kujtimet e përbashkëta, por nuk e ndjekin rrugën e përbashkët politike.
“Na mungon tash e 6 vjet, vite të rënda këto që ka kaluar Kosova. Ai është një figurë unikale në historinë e Kosovës, që ka shkrirë veten për ditët që sot ne gëzojmë. Prandaj kam pasur privilegjin të kem qenë nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij”, ka deklaruar Sejdiu.
“Kemi respekt të lartë për veprën, urtësinë dhe mencurinë e tij, si dhe për udhëheqjen e Kosovës në momentet më të vështira dhe themelimin e LDK-së”, është shprehur Mustafa.
Pasi bënë nderimet te varri, i gjithë spektri politik vazhdoi të nderojë veprën e Rugovës në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në një akademi përkujtimore e cila u organizua nën patronazhin e presidentes Atifete Jahjaga.
“Presidenti rugova është një pjesë e atyre intelektualëve e politikanëve, që udhëhoqi vendin dhe atdheun drejt së ardhmes evropiane. Respekt dhe nder i përhershëm për figurën e presidentit Rugova”, është shprehur Jahjaga.
Të pranishëm në këtë akademi ishin drejtues të lartë të institucioneve të Kosovës, familjarë të presidentit Rugova, drejtues të partive politike, njerëz të shkencës e artit, si dhe ambasadorët e SHBA-ve, Francës, Italisë etj.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, partia të cilën e themeloi Rugova, mbajti një akademi përkujtimore në nder të jetës dhe veprës së tij.
Top Channel