Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Philip Reeker, gjatë vizitës së tij në Beograd është takuar me një prej eksponentëve kryesorë të opozitës serbe, Vuk Drashkovic.
Sipas raportimeve të mediave ballkanase, Reeker deklaroi se SHBA presin nga Serbia që edhe pa njohur pavarësinë e Kosovës, të vendosë bashkëpunimin me të dhe të zgjdhë përmes dialogut dypalësh të gjitha cështjet kontestuese.
Ndërsa Drashkovic, nga ana e tij vlerësoi se plani i Ahtisarit përbën një bazë të mirë për dialog dhe kërkoi garanci nga BE dhe Këshilli i Sigurimit për mbrojtjen e të drejtave të popullit dhe trashëgimive serbe në Kosovë.
Ndër të tjera, shtojnë më tej mediat serbe, zoti Reeker shprehu shpresën e tij se Serbia do t’i përmbushë kushtet e mbetura për fitimin e statusit të kandidatit për anëtarësimin në BE.
Politikani serb Vuk Drashkovic njihet për qëndrimet e tij kundër politikës së lidershipit aktual serb ndaj Kosovës, të cilën sipas tij Serbia e ka humbur.
Disa ditë më parë, mbështetësit e partisë së Drashkovic, Lëvizja për Ripërtëritjen e Serbisë, kërkuan që qeveria e Beogradit të pranojë planin e Ahtisarit që nuk ka të bëjë me statusin, si një bazë e bisedimeve me Prishtinën.
Ndërsa më herët gjatë muajit, Drashkovic kritikoi planin 4-pikësh të presidentit Tadic për Kosovën dhe i bëri thirrje kryetarit të shtetit që të tërhiqet nga politika “edhe BE-në dhe Kosovën”.
“Nëse unë vij në pushtet do të ndryshojmë politikat aktuale. Politika “edhe BE-në edhe Kosovën” po e fut Serbinë në qorrsokakun “as BE-në, as Kosovën””, deklaroi Drashkovic.
Top Channel