Pakistan, vijon bllokada ndaj NATO-s

21/01/2012 18:10

Furnizimet e trupave të NATO-s në Afganistan do të mbeten të bllokuara derisa Parlamenti pakistanez nuk do të miratojë linjat e reja të transportit në bashkëpunim me SHBA.

Vendimi është marrë nga presidenti Asif Ali Zardari dhe komandanti i ushtrisë, Ashfaq Parvez Kayani, bëjnë të ditur agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.

Kalimi i autokolonave me mallra dhe karburant për trupat e koalicionit u bllokuan më 26 nëntorin e kaluar, pas një sulmi të helikopterëve të NATO-s që vrau disa ushtarë pakistanezë në një postobllok.

Ngjarja në fjalë tensionoi tej mase marrëdhëniet mes Islamabadit zyrtar dhe komandës së trupave ndërkombëtare, e cila fillimisht tentoi të shfajësohej.

Komanda deklaroi se faji kishte qenë i ushtarëve pakistanezë, të cilët nuk ishin identifikuar dhe kishin bërë lëvizje të dyshimta, që kishin shtyrë kolegët e NATO-s të mendonin se ishin talebanë.

Por ushtria pakistaneze reagoi e revoltuar, duke deklaruar se vrasja e anëtarëve të saj kishte ardhur si pasojë e gabimeve dhe euforisë së trupave të huaja.

Më vonë, një zyrtar i lartë i NATO-s pranoi në një intervistë për BBC se gjatë operacionit të zhvilluar në orët e natës mund të jenë bërë gabime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA