Ministri kosovar i Infrastrukturës, Fehmi Mujota ka hedhur poshtë zërat për përfshirjen e kamionëve të kriminelit serb Zvonko Veselinovic në punimet e autostradës Morinë-Merdarë.
Në një konferencë për shtyp, Mujota ka deklaruar se zërat për një gjë të tillë kanë qenë spekulime të autoriteteve dhe agjencive serbe të lajmeve.
Ai ka sqaruar se qeveria e Kosovës ka kontaktuar drejtuesit e kompanisë që ndërtoi autostradën, “Bechtel-Enka”, nga e cila ka marë informacion se kompanitë nënkontraktuese kanë qenë të gjitha me bazë në Kosovë.
“Ne kemi kontaktuar me kompaninë “Bechtel-Enka” dhe sipas të gjitha të dhënave, të gjitha kompanitë nënkontraktuese që kanë punuar dhe punojnë me të janë kompani të regjistruara në Kosovë dhe jo jashtë saj”, ka deklaruar Mujota.
Ministri ka shtuar se, nëse një gjë e tillë do të kishte ndodhur, atëherë autoritetet kosovare do të kishin qenë në dijeni për një aktivitet të tillë dhe do të kishin vepruar.
Zërat për përfshirjen e bosit serb në punimet e autostradës Morinë-Merdarë lindën pas një lajmi të publikuar në një të përditshme serbe, që citonte një prokuror serb, e që më pas u publikua edhe në një gazetë kosovare.
Prokurori njoftonte se kishte nisur një hetim mbi përvetësimin në mënyrë të paligjshme të 32 kamionëve nga Veselinovic, të cilët më pas janë angazhuar në punimet për autostradën.
Zvonko Veselinovic akuzohet nga prokuroria e Beogradit për drejtim të organizatave kriminale, ndërkohë që njihet edhe si personi që ka mbështetur vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës.
Top Channel