Një “mundje krahu” po zhvillohet në Rusi mes aktivistëve dhe autoriteteve të Moskës për manifestimin e ardhshëm në shesh kundër kryeministrit Vladimir Putin dhe manipulimet zgjedhore.
Organizatorët, të angazhuar për më katër shkurt, kanë kërkuar një autorizim për 50 mijë persona për një korte që duhet të mbërrijë deri në muret e Kremlinit.
Por, nënkryetari i bashkisë Aleksandr Gorbenko ka replikuar duke deklaruar se rruga e marshimit nuk mund të aprovohet për arsye sigurie dhe ka propozuar itinerarë alternativë.
Ditën e djeshme, policia ruse arrestoi në Sheshin e Kuq të Moskës një grup “punk” femëror që kishte kënduar një këngë në formë proteste kundër kryeministrit Vladimir Putin.
Grupi muzikor Pussy Riot, i përbërë nga tetë gra të maskuara dhe me veshje të dallueshme, sfidoi temperaturën minus 10 gradë duke kënduar një këngë me titullin “Putin e bëri në …”.
Kënga bënte fjalë për një kryeministër që kishte frikë nga protestat e qytetarëve. Por pas performancës 8 gratë u shoqëruan në komisariat dhe katër prej tyre rrezikojnë deri në 15 ditë burg.
Pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat nga populli rus konsiderohen të manipuluara, situata në Rusi sa vjen e tensionohet për shkak të zgjedhjeve presidenciale të muajit mars.
Dy ditë më parë Komisioni Elektoral Rus mbylli procesin e regjistrimit të dokumenteve për kandidatët. Për t’u pranuar në garën elektorale duheshin të paktën 2 milionë firma dhe jo mbi 2 milionë e 100 mijë.
Top Channel