Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton tha se nuk ka asnjë arsye për të besuar se Franca do të tërhiqet më herët nga Afganistani, pas vrasjes së katër ushtarëve të saj.
“Ndjej keqardhje për cfarë i ndodhi ushtarëve francezë. Ishte e tmerrshme dhe vlerësoj ndjenjat e forta që janë shprehur. Jemi në kontakte të shpeshta me kolegët tanë franceze dhe nuk kemi arsye për të besuar se Franca do të bëjë dicka tjetër, por të vazhdojë të jetë pjesë, që me shumë kujdes, është konsideruar si procesi i tranzicionit, sic ramë dakord në Lisbonë”, tha Klinton.
Presidenti francez, Nikola Sarkozi tha se operacionet e trupave franceze në terren janë pezulluar pas vrasjes së katër ushtarëve dhe plagosjes së 16 të tjerëve nga një person i veshur me uniformën e ushtrisë afgane.
Ai tha se Ministri francez i Mbrojtjes është dërguar të qartësojë situatën në Afganistan dhe nëse kushtet nuk përmbushen, trupat do të terhiqen.
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, pas takimit me Klinton në Uashington, u shpreh i shokuar për ngjarjen.
“Është e qartë se të tilla frenime tragjike si ky nuk duhet të ndalojnë angazhimin tonë për paqe dhe pajtim në Afganistan”, tha Vestervelle.
Franca ka rreth 4000 ushtarë në Afganistan, pjesë e misionit të NATO, me 130 mijë trupa. Ushtarët francezë patrullojnë kryesisht në Kapisa, një provincë në afërsi të Kabulit. Ata duhet të largohen nga Afganistani në vitin 2013. Ngjarja e con në 82 numrin e francezëve të vrarë.
Top Channel