Lëvizja islamike radikale palestinez Hamas, e cila kontrollon Rripin e Gazas, do të zhvillojë ditën e shtunë zgjedhjet për zgjedhjen e kreut të saj.
Kjo lëvizje deri më tani drejtohej nga Khaled Meshaal, i ndodhur në ekzil për shkak se është person i kërkuar nga autoritetet izraelite nën akuzën e nxitjes së dhunës dhe organizimit të atentateve kundër civilëve në Rripin e Gazas dhe në Izrael.
“Khaled Meshaal, kreu i zyrës politike, me dëshirën e tij ka zgjedhur të mos rikandidojë më në këtë pozicion dhe ka pohuar mungesën e tij në punimet e kongresit ku do të dalin emrat e rinj të udhëheqjes së Hamas”, thuhet në një komunikatë për mediat nga këshilli ekzekutiv i lëvizjes.
Hamas dhe Fatah janë dy partitë kryesore që kontrollojnë territoret palestineze. Në zgjedhjet e fundit, Fatah, e ish-presidentit Jaser Arafat, fitoi bindshëm në Bregun Perëndimor ndërsa Hamas mori kontrollin e Rripit të Gazas.
Hamas është përkrahëse e linjës së fortë kundër Izraelit, ndërkohë që Fatah mbështet lëvizjet paqësore dhe bisedimet.
Top Channel