Mijëra hungarezë kanë manifestuar të shtunën në qendër të Budapestit, këtë herë në favor të qeverisë së kryeministrit konservator Viktor Orban.
Për organizatorët e protestës, të cituar nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, në shesh kanë zbritur rreth 100 mijë vetë, ndërsa për burime të tjera 50 mijë.
Ndërkohë, përpara selisë së presidencës, të tjerë persona kanë manifestuar kundër Pal Schmitt, të cilit i është bërë thirrje të japë dorëheqjen pasi dyshohet se ka kopiuar tezën e doktoratës.
Politika e kryeministrit hungarez Viktor Orban ndodhet nën akuzë nga Bashkimi Evropian dhe është kundër opsioneve të unionit për zgjidhjen e krizës financiare globale.
Ditën e mërkurë, Orban bëri tërheqjen e parë duke u garantuar europarlamentarëve në Strasburg, se konflikti me Bashkimin Europian do të zgjidhej me shpejtësi.
Por një ditë më vonë, Budapesti zyrtar i bëri sërish rezistencë kërkesave të Komisionit Europian për të paktën njërin prej tre ligjeve të kontestuara.
Duke përcjellë qëndrimin e qeverisë hungareze, zëdhënësi i saj Andras Giro-Szasz këmbënguli të tregonte se Budapesti nuk pajtohej me ekzekutivin e bllokut përsa i takon moshës së pensionit për gjykatësit.
Të martën, Komisioni Europian, apo ekzekutivi i BE-së, nisi procedurat ligjore kundër Hungarisë për reformën e ndërmarrë për Bankën Qëndore, Mbrojtjen e të Dhënave dhe Sistemin Gjyqësor.
Top Channel