Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka akuzuar Greqinë se po përpiqet të blejë kohë për të shtyrë sa më shumë zgjidhjen e kontestit të emrit.
Sipas agjencisë së lajmeve “INA”, Gruevski ka deklaruar se raundi i fundit i bisedimeve në Nju Jork vetëm sa vërtetoi paralajmërimet e tij se Greqia po përpiqet të vonojë zgjidhjen e cështjes dypalëshe.
“Ishte e qartë që ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic, dëshironte të vinte në Shkup dhe Athinë, por ai nuk gjeti mirëkuptim nga pala greke. Ndërsa ne jemi të gatshëm për ta pritur atë në cdo datë. Të shohim nëse grekët do të bashkëpunojnë”, ka thënë Gruevski.
Kryeministri ka theksuar se, nga ana e saj, Maqedonia do të vijojë angazhimet për anëtarësimin në NATO dhe BE, si dhe ka shprehur bindjen se herët a vonë lojrat e Greqisë do të marrin fund.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për integrimin dhe jam i bindur se ky raport i Greqisë nuk do të zgjasë përgjithmonë. Pavarësisht tolerancës së partnerëve, kësaj loje një ditë do t’i vijë fundi”, ka shtuar Gruevski.
Për zgjidhjen e cështjes së emrit, që ka bllokuar integrimin e Maqedonisë në strukturat evropiane, Shkupi kërkoi disa ditë më parë ndihmën e Shteteve të Bashkuara.
Në një takim që presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov zhvilloi të mërkurën në Shkup me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, akuzoi palën greke se nuk ka interes për zgjidhjen e cështjes.
“Shqetësimet tona ndërlidhen me mungesën e vullnetit të palës greke për t’u angazhuar seriozisht në tejkalimin e kontestit të emrit”, deklaroi Ivanov.
Nga ana tjetër, zyrtari amerikan theksoi se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e kontestit të emrit mbetet i pandryshuar.
Top Channel