Protestat e shumë kompanive që operojnë në botën e internetit, detyruan Kongresin amerikan të pezullojë debatin për dy aktet normative, Protect IP Act (PIPA) dhe Stop Online Piracy Act (SOPA), akte që synon të luftonin piraterinë online.
Kreu i mazhorancës në Senat, Harry Reid anuloi votimin e parashikuar për t’u mbajtur ditën e premte. Senati njoftoi se nuk do të kalojë asnjë prej këtyre akteve pa patur më parë një marrëveshje me grupet e interesuara.
“Duke patur parasysh ngjarjet e ndodhura së fundmi, vendosa të shtyj për një herë tjetër votimin për dy aktet ligjore që synojnë të luftojnë piraterinë online”, deklaroi kreu i Senatit, demokrati Harry Reid.
Anulimi është mirëpritur edhe nga një pjesë e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve. Kongresisti, Lamar Smith tha:
“Kam dëgjuar kritikat dhe për ligjet anti-pirateri. Këto kritika duhen marrë seriozisht edhe pse është e qartë se ne duhet të ndërmarrim masa dhe të gjejmë një zgjidhje se si të ndalojmë vjedhjen e shpikjeve dhe produkteve amerikane nga të huajt”, tha Smith.
Pezullimi i votimit vjen dy ditë pas protestës së ndërmarrë nga enciklopedia online, Wikipedia dhe dhjetra faqe e blogje të tjera në internet, të cilat detyroheshin me ligjin e ri ( nëse do të hynte në fuqi) të hiqnin dorë nga një pjesë e madhe e materialeve të tyre që ofronin.
Top Channel