Rumani, protestat në ditën e tetë

20/01/2012 21:35

Për të tetën ditë rresht qytetarët rumunë kanë zbritur në shesh të premten, në Bukuresht, për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe presidentit Traian Basescu.

Lidershipi i vendit konsiderohet si përgjegjësi kryesor për krizën ekonomike dhe sociale që ka përfshirë vendin, si dhe për përkeqësimin e kushteve të jetesës në radhët e popullsisë.

Në radhë të parë, në kryeqytet kanë zbritur mësuesit, të cilët i janë adresuar Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar me zë të lartë dorëheqjen e ministrit Funeriu.

Protestat në vendin anëtar të BE-së duket se do të vazhdojnë. Mes datave 23 dhe 31 janar ka njoftuar aksionin e saj sindikata e kuadrove ushtarakë, ndërsa më 24 do të organizohet një marshim, ku pritet të marrin pjesë rreth 10.000 vetë.

Përfaqësuesit e Unionit Studentor të Rumanisë bënë të qartë disa ditë më parë se nuk do të përfshihen në protestat e këtyre ditëve, për shkak se i konsiderojnë tepër të paqarta motivet e tyre dhe mendojnë gjithashtu se e gjithë lëvizja rrezikon të marrë një tjetër orientim e të shfrytëzohet për interesa politike.

Ndërkohë, qeveria rumune vendosi tre ditë më parë të rikthejë në postin e zëvendësministrit të Shëndetësisë njeriun që u kthye në shkëndijën e shpërthimit të pakënaqësisë popullore në Rumani, mjekun Raed Arafat, i dorëhequr pas planeve të ekzekutivit për privatizimin e pjesshëm të shërbimeve të urgjencës.

Në protesta, të cilat filluan më herët gjatë muajit në Bukuresht, janë regjistruar shpesh herë përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, të cilat kanë cuar në plagosjen e shumë personave.

Përshkallëzimi i këtyre protestave kundër masave shtrënguese detyroi autoritetet që ditën e hënë të thërrisnin një mbledhje urgjente të kabinetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA