Libi, zbulohet rezerva e armëve kimike

20/01/2012 14:05

Ish-diktatori i Libisë, Muammar Gaddafi, mbante të fshehur në një magazinë ushtarake një stok të madh armësh kimike të ndaluara nga konventat ndërkombëtare.

Lajmin e raportoi ditën e premte Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, inspektorët e të cilës vizituan Libinë gjatë javës.

Midis municioneve të ndaluara që u zbuluan ishte edhe “sulfuri mustadë”, i cili mund të shkaktojnë një vdekje tejet çnjerëzore, nëpërmjet hemoragjisë së përhapur dhe dhimbjeve të forta.

Qeveria e përkohshme libiane u shpreh në një komunikatë se nuk ka patur dijeni për këtë lloj të ndaluar armësh. Mbetet për të sqaruar se përse kjo armë vdekjeprurëse nuk është përdorur në konfliktin civil disa-mujor, që solli fundin e regjimit të Gaddafit dhe eventualisht ekzekutimin e tij.

Sipas specialistëve të dërguar në Libi, regjimi i shkuar është përpjekur drejt fundit të tij të eliminonte gjurmët e këtyre armëve dhe ka asgjesuar një pjesë të tyre.

Libia ka kohë deri në fund të prillit për të prezantuar një plan të detajuar për mënyrën se si planifikon të asgjesojë armët e rrezikshme, prodhimi dhe përdorimi i të cilave është i ndaluar në bazë të konventave ndërkombëtare.

Sidoqoftë, ekspertët parashikojnë që afati 3-mujor ka pak gjasa të realizohet, duke patur parasysh që vendet kryesore që zotërojnë municione të tilla ende kanë probleme të theksuara me eliminimin e tyre, përfshi SHBA, që ka informuar se pret që procesi i eliminimit të 10% të arsenalit kimik dhe biologjik që i ka mbetur të përfundojë në 2021-shin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA