Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, rrëfeu dhunën policore që vuajti në kurriz të tij në protestën e mbajtur në 14 janar, në dy pikat doganore të Merdarës dhe Dheut të Bardhë.
Në një intervistë të publikuar të premten në “Kosova Sot”, Kurti përshkruante se të paktën dy policë e tërhoqën zvarrë duke e larguar nga pozicioni i tij në krye të turmës, për ta izoluar pas kordinit të policisë.
Sipas Kurtit, organet policore nuk kishin si qëllim arrestimit, por vetëm nxitjen e incidenteve dhe ushtrimin e forcës, për t’i treguar protestuesve se “përderisa lideri i tyre po dhunohej, nuk do të ishte kurrfarë problemi që kjo të ndodhte edhe me ta”.
“E di që së paku dy prej policëve më kanë kapur për gjymtyrë dhe kanë filluar të më tërheqin zvarrë prapa kordonit të policisë, mirëpo në ato momente, mbase fare pak sekonda mbi trupin tim janë vendosur shumë duar të protestuesve, të cilët janë munduar të më tërheqin në anën e kundërt”, kujtoi Kurti.
Ndonëse “Vetëvendosje” u ironizua nga autoritetet kosovare për faktin që lëvizja e saj madhore arriti të mblidhte vetëm “një grusht personash”, prej disa qindra aktivistë nga Kosova, Shqipëria dhe trevat e tjera, Kurti u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e gjerë në lëvizje.
“Mos harroni se kjo nuk ka qenë protestë në një qytet, kur njerëzit shumë më lehtë vijnë, por ka qenë një protestë ku ka shumë më pak banorë dhe rrjedhimisht nuk mund të pritet të ketë numër sikur në protestat në zonat urbane… Numri i protestuesve në të dy pikat, atë të Dheu i Bardhë dhe në Merdar, ka qenë rreth dy mijë, sepse ka pasur shumë tendenca për ta zbritur numrin. Janë përmendur shifra të pavërteta, por rreth dy mijë kanë qenë në Merdar dhe dy mijë në Dheun e Bardhë”, theksoi Kurti.
Top Channel