Një disident kubanez ndërroi jetë në burg, pasi shpalli një grevë urie, e cila zgjati 50 ditë me radhë.
Wilmar Villar gjeti këtë formë për të protestuar ndaj vendimit për katër vjet heqje lirie, vetëm sepse mori pjesë në një demonstratë anti-qeveritare.
Ai u la të vdiste në burg, pavarësisht kushteve gjithmonë e më të rënduara shëndetësore dhe paralajmërimit të mjekëve se e kishte të pamundur të mbijetonte për shumë kohë vetëm me ndihmën e serumeve.
Një grupim kubanez për të drejtat e njeriut informoi të premten se Villar ndërroi jetë në një spital, ku prej disa ditësh ndodhej i shtruar në gjendje kritike për jetën.
Sipas grupimit, autoritetet kanë “përgjegjësi të plotë” për vdekjen tërësisht të evitueshme të 31-vjeçarit.
Muajin e shkuar, Havana zyrtare liroi nga burgjet disa qindra të burgosur politikë, pjesë e një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Vatikani. Megjithatë, raportet për gjendjen e të drejtave të njeriut në shtetin komunist flasin për një situatë kritike.
Top Channel