Parlamenti i Kroacisë miratoi mbrëmjen e djeshme, me shumicë votash, deklaratën për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Deklarata në fjalë shihet si interes strategjik dhe i hap rrugën popullit kroat, që të dielën më 22 janar të votojë në referendum, për të shprehur vullnetin e tij lidhur me integrimin.
Në favor të deklaratës, sipas “REL”, votuan 127 deputetë, ndërsa vetëm njëri nga të pranishmit në sallën e Parlamentit abstenoi.
Në këtë dokument, i miratuar pas një ditë diskutimesh, theksi vihet tek roli i qytetarëve kroatë në bashkimin e vendit të tyre me BE-në, si dhe tek vazhdimi i reformave.
Të dielën, më 22 janar, në Kroaci do të mbahet referendumi përmes të cilit do të vendoset nëse vendi do t’i bashkohet ose jo Unionit, gjë e parashikuar të ndodhë vitin e ardhshëm.
Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, gjatë një vizite të zhvilluar pak ditë më parë në Zagreb, deklaroi se pret që referendumi të ketë një rezultat pozitiv.
Top Channel